KONKURS

Default Logo


          DIZAJNIMI I LOGOS DHE IDENTITETIT VIZUAL PËR QENDRËN KOMBËTARE TË VEPRIMTARIVE TRADICIONALE (QKVT)

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale shpall konkurs të hapur për realizimin e logos dhe identitetit të ri vizual të institucionit, duke ftuar dizajnerë grafikë, studentë, profesionistë dhe të apasionuar pas dizajnit të paraqesin propozimet e tyre krijuese.
   
   1. Hyrje dhe qëllimi
Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale është një institucion publik me mision ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare.
Në kuadër të forcimit të identitetit institucional dhe komunikimit vizual, QKVT synon krijimin e një identiteti të ri vizual, i cili të përfaqësojë në mënyrë dinjitoze vlerat, traditën dhe rolin e institucionit në kontekstin bashkëkohor.
Ky konkurs synon të nxisë kreativitetin dhe inovacionin, duke krijuar një logo dhe identitet vizual të qëndrueshëm, të dallueshëm dhe funksional në të gjitha format e komunikimit institucional.
    
   2. Objekti i konkursit
Pjesëmarrësit ftohen të paraqesin një propozim dizajni për identitetin vizual të QKVT, i cili duhet të përfshijë:
konceptin e logos;
logon përfundimtare;
identitetin vizual bazë;
aplikime të thjeshta të logos në materiale përfaqësuese.
Koncepti duhet të reflektojë misionin, vlerat dhe identitetin e QKVT, duke integruar elemente të trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare në një qasje moderne dhe funksionale.
   
   3. Udhëzime konceptuale
Propozimet duhet të reflektojnë në mënyrë të qartë:
trashëgiminë kulturore jomateriale dhe traditën shqiptare;
identitetin kombëtar dhe vlerat kulturore;
vazhdimësinë ndërmjet traditës dhe bashkëkohësisë;
një imazh institucional të besueshëm dhe përfaqësues.
Qasja e dizajnit duhet të jetë origjinale, e qëndrueshme dhe e aplikueshme në formate të ndryshme komunikimi.
  
  4. Përshtatshmëria
Konkursi është i hapur për:
dizajnerë grafikë;
studentë;
profesionistë të fushës;
individë të apasionuar pas dizajnit etj..
Pjesëmarrja mund të jetë individuale ose në grup

    5. Materialet për t’u dorëzuar
Çdo propozim duhet të përfshijë:
  5.1 Dizajnimi i logos
propozimi origjinal dhe i papublikuar më parë i logos;
shpjegim konceptual i dizajnit;
versione të logos me ngjyra, bardh e zi dhe monokrom;
Informacion mbi shkallëzueshmërinë dhe lexueshmërinë e logos.
 
   5.2. Identiteti vizual
koncept bazë i identitetit (brand-book i thjeshtuar);
paleta e ngjyrave (primare dhe sekondare);
tipografia (fontet e përdorura).
   5.3. Aplikime të thjeshta (Mock-up Konceptuale)
kartëvizitë;
kokë-shkrese;
përdorim në rrjete sociale;
materiale prezantuese dhe promocionale;
Cover prezantimi;
Merchandise
    
   6.Formati i dorëzimit
Propozimet duhet të dorëzohen në format digjital dhe të përfshijnë:
një dokument të vetëm PDF me të gjithë elementët;
materiale vizuale të strukturuara qartë;
formatet e logos në PNG, JPG dhe vektoriale (AI, EPS ose PDF).
    
   7.Afatet
Afati përfundimtar i dorëzimit të aplikimeve është: 19.04.2026
Aplikimet duhet të dërgohen në adresën: Info@folklor.gov.al
 
   8.Procesi i vlerësimit
Propozimet do të vlerësohen nga një komision i ngritur për këtë qëllim.
Kriteret e vlerësimit përfshijnë:
kreativitetin dhe origjinalitetin;
përputhshmërinë me misionin dhe identitetin e institucionit;
cilësinë vizuale dhe koherencën;
aplikueshmërinë dhe funksionalitetin;
cilësinë e prezantimit.
 
    9.Çmimi
Nga konkursi do të përzgjidhet një fitues.
Propozimi fitues do të përdoret si logo zyrtare dhe identitet vizual i QKVT.
Fituesi do të shpërblehet me një çmim të vetëm, me vlerën 60.000 (gjashtëdhjetëmijë lekë).

    10.Të drejtat e përdorimit
Autori i propozimit fitues njihet si krijues i dizajnit.
Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale fiton të drejtën për përdorimin institucional të logos dhe identitetit vizual të përzgjedhur.