Kerko Dicka

THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI PËR EKSPERT VLERËSUES TË VLERAVE KULTURORE, TË PASURIVE JOMATERIALE”

Default Logo

Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Kreut II “Verifikimi dhe deklarimi i interesit kulturor dhe regjistrimi i pasurisë kulturore”, nenit 59 të ligjit nr. 27/2018, datë 17.5.2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, Udhëzimit nr.665, datë 23.10.2023 “Për miratimin e kritereve dhe pranimin në listën e ekspertëve vlerësues të vlerave kulturore të pasurive të luajtshme, të paluajtshme dhe jomateriale”, Udhëzimit nr.666, datë 23.10.2023 “Për mënyrën e funksionimit të Komisioneve Keshillimore për vlerësimin dhe identifikimin e vlerave kulturore në pasuritë e luajtshme, të paluajtshme dhe jomateriale” dhe Udhëzimit nr. 273, datë 9.5.2024“Për kriteret dhe mënyrat e depozitimit të kërkesave për verifikim të interesit kulturor, dokumentacioni shoqërues i aplikimit, kriteret për marrjen e vendimit dhe metodologjinë e tarifave”, QKVT fton të interesuarit për të shprehur interes për shpalljen në vijim:
• EKSPERT VLERËSUES TË VLERAVE KULTURORE, TË PASURIVE JOMATERIALE
Objekti i kësaj thirrje është përzgjedhja e ekspertëve vlerësues të fushës së Trashëgimisë Kulturore, për identifikimin dhe vlerësimin e vlerave kulturore të pasurive, verifikimin e interesit të tyre kulturor nga Komisioni i Vlerësimit të Objekteve të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
• PROCEDURA E APLIKIMIT:
Kandidatët e interesuar duhet të depozitojnë në rrugë elektronike në adresën e emailit: Info@folklor.gov.al të shoqëruar edhe në rrugë postare, dokumentet e aplikimit si më poshtë:
1. Shprehjen e interest, ku të pasqyrojë shkurtimisht përvojën / projektet e realizuara në të kaluarën (në 5-vitet e fundit) lidhur me fushën e kërkuar të ekspertizës si dhe kualifikimet përkatëse;
2 Jetëshkrimin e përditësuar;
3. Kopje të dokumentit të identifikimit;
4. Kopje të noterizuar të diplomës, që vërteton përfundimin e ciklit të dytë të studimeve universitare për fushën përkatëse, ose diplomë të njehsuar me të;
5. Kopje të noterizuar librezës së punës;
6. Vërtetim të shlyerjes së detyrimeve fiskale të lëshuara nga administrata tatimore në sistemin e-albania, për tre muajt e fundit;
7. Vërtetim që ka paguar të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore, të lëshuar nga administrata tatimore në sistemin e-albania, për tre muajt e fundit;
8. Fotokopje të noterizuar të kualifikimeve ose certifikatave që zotëron në fushën e ekspertizës së thirrjes;
9. Dy referenca nga një person akademik ose punëdhënësi;
10. Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore.

• VENDNDODHJA DHE KOHËZGJATJA E DETYRËS
Data e fillimit: Pas nënshkrimit të kontratës
Kohëzgjatja: 5 vjet
Vendndodhja: Tiranë, Shqipëri
• KRITERET PËR EKSPERTIN
Çdo kandidat duhet:
1. Të jetë shtetas shqiptar;
2. Të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” apo “Master Profesional”, edhe diploma e nivelit “Bachelor” duhet të jetë në të njëjtën fushë;
3. Të ketë përvojë pune në profesionin e ekspertizës për TKJ të paktën për 5 vite;
4. Të ketë përgatitje të lartë profesionale;
5. Të mos jetë i dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale që lidhet me profesionin;
6. Të mos ketë masë disiplinore në fuqi (në fushat përkatëse).

• ARSIMI DHE KUALIFIKIMI
Aplikanti i cili kërkon të përfshihet në listen e ekspertëve pranë Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale (QKVT) për vlerësimin dhe identifikimin e vlerave kulturore në pasuritë jomateriale duhet të plotësojë kriteret specifike, si më poshtë:
a) Të zotërojë diploma të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional” në Muzikologji ose Trashëgimi Kulturore;
b) Të ketë jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet përvojë profesionale;
c) Të ketë marrë pjesë në ideimin dhe organizimin e veprimtarive tradicionale në nivel lokal e kombëtar;
d) Të ketë qenë pjesë e grupeve të punës dhe stafit të ekspeditave mbledhëse dhe studimore, duke dhënë kontribute dhe me anë të publikimit të ngjarjeve dhe fenomeneve që lidhen me Trashëgiminë Kulturore Jomateriale.

• PAGESA
Pagesa për këtë detyrë përcaktohet në përputhje me VKM nr.656, datë 31.10.2018 “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të Anëtarëve të Këshillave, Bordeve ose Komisioneve të Përhershme të njësive të qeverisjes qendrore” i ndryshuar.
Kandidatët e interesuar duhet t’i dorëzojnë dokumentet e aplikimit brenda datës 20.06.2025, ora 14:00, në adresën si në vijim:

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, Rruga “Gëzim Erebara” pranë pallatit nr. 31, Tiranë, Shqipëri, me mbishkrimin në zarf: – Aplikim për: EKSPERT VLERËSUES TË VLERAVE KULTURORE, TË PASURIVE JOMATERIALE”
dhe në rrugë elektronike në adresën: email: Info@folklor.gov.al

Kandidatët që do të përzgjidhen do të kontaktohen për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Kandidatët që nuk kualifikohen për pranimin si Ekspertë Vlerësues, do të njoftohen me shkrim.