Rreth QKVT
Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale
-
Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, më poshtë QKVT, është institucion i specializuar në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë
-
QKVT-ja ushtron veprimtarinë e saj në administrimin, studimin, kërkimin, evidentimin, ruajtjen, mbrojtjen, popullarizimin dhe promovimin e pasurive kulturore jomateriale dhe të diversitetit kulturor në nivel kombëtar, në bashkëpunimin me subjekte publike
-
Në përmbushje të funksioneve të saj, QKVT-ja bashkëpunon me specialistët e trashëgimisë kulturore jomateriale pranë drejtorive rajonale të trashëgimisë kulturore, si dhe me institucionet kulturore-artistike qendrore e vendore, shoqatat kulturore e individë të fushës së trashëgimisë jomateriale.
-
QKVT-ja është organizatore e festivaleve folklorike tipologjike kombëtare, FFTK-ve, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore. Organizimi i FFTK-ve bazohet në Rregulloren e Festivaleve Folklorike Tipologjike Kombëtare, e cila miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.
-
QKVT-ja, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucione të tjera shtetërore e private organizon Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, bazuar në rregulloren e tij, i cili miratohet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Shpallja e organizimit të tij bëhet me urdhër të ministrit, një vit përpara zhvillimit të tij.
-
-
QKVT-ja ka kompetencë:
a)të asistojë ministrinë në ushtrimin e kompetencave të saj për zbatimin e politikave qeveritare në fushën e ruajtjes, mbrojtjes, promovimit dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore jomateriale; b)të kërkojë, verifikojë dhe studiojë vlerat e trashëgimisë kulturore jomateriale; c) të krijojë dhe përditësojë Regjistrin Kombëtar të Bartësve të Folklorit, Regjistrin e Vlerave të Trashëgimisë Jomateriale, Listën e Artizanëve, të cilët trashëgojnë dijebërje të ndryshme, Regjistrin e Kryeveprave të Trashëgimisë Jomateriale dhe Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Rrezik; të krijojë dhe mirëmbajë një hartë interaktive të trashëgimisë kulturore jomateriale në territorin e Republikës së Shqipërisë; ç) të lëshojë dokumente, kopje të vërtetuara të tyre dhe kopje digjitale të arkivit, sipas tarifave të përcaktuara me udhëzim; d)të monitorojë në terren të gjitha veprimtaritë e trashëgimisë jomateriale, që zhvillohen në rang vendi; dh) të përgatisë raporte apo informacione për trashëgiminë jomateriale, të kërkuara nga organizmat ndërkombëtarë, dhe t’i paraqesë ato në KKTKJ; të kryejë çdo funksion tjetër të parashikuara me ligj. e) QKVT-ja funksionon si sekretariat teknik i Këshillit Kombëtar të Pasurive Kulturore . ë) QKVT-ja funksionon në bazë të përcaktimeve të këtij ligji, si dhe statutit të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë.